Rrëzohet avioni i linjës ajrore kineze me 132 persona në bord

Një avion i China Eastern Airlines, me 132 persona në bord është rrëzuar në provincën e Guangxi.

Ngjarja është raportuar nga mediat ndërkombëtare para pak minutash. Ende nuk dihet numri i viktimave dhe arsyeja e rrëzimit të avionit.

Mediat kineze raportojnë se avioni Boeing 737 u rrëzua në një rajon malor dhe më pas përfundoi në një zonë pyjore duke nxjerrë flakë.

Fluturimi MU5735 i linjës ajrore kishte nisjen nga Kunming në orën 13:15 me orën lokale dhe kishte për destinacion Guangzhou.

Faqet e gjurmimit të fluturimeve tregojnë se avioni ka qëndruar në ajër për pak më shumë se një orë.

Avioni u rrëzua pranë qytetit Wuzhou të Teng. Guangxi është një provincë jugore fqinje me Guangzhou, një qytet i madh në jug-lindje.

Ekipet e shpëtimit kanë shkuar menjëherë në zonë.

Sipas të dhënave të FlightRadar24, informacioni i fundit mbi fluturimin tregoi se avioni u rrëzua në orën 14:22 me kohën lokale, në një lartësi prej 982.98 metrash.