
Rreziku nga Rusia, BE dhe SHBA kërkojnë shtete furnizuese me gaz
Bashkimi Evropian po bisedon me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për mundësinë e rritjes së eksportit të gazit në Evropë. Shqetësimet për furnizimin me gaz vijnë për shkak të konfliktit që kanë vendet e Perëndimit me Rusinë, i cili është një ndër furnizuesit më të mëdhenj të gazit në Evropë.
Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha se po negociohet me vende të tjera si Norvegjia, për shtimin e furnizimeve të tyre për Evropën.
Zonja Von der Leyen tha se është e çuditshme që kompania Gazprom nuk ka rritur furnizimin me gaz të Evropës, pavarësisht çmimeve rekord dhe kërkesës së lartë.
“Ka shenja në rritje se Kremlini po vazhdon të përdorë furnizimin me gaz si mjet presioni politik,” tha ajo.
Zyrtarët e lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara takohen në Uashington sot për bisedime lidhur me mundësinë e furnizimit me Gaz Natyror të Lëngshëm. BE-ja po bën gjithashtu negociata me Katarin dhe Azerbajxhanin.
Rusia mbulon rreth 40% të nevojave të gazit të BE-së. Pasojat e mundshme për furnizimin me gaz, nëse Rusia pushton Ukrainën, kanë nxitur BE-në të rrisë importin nga vende të tjera.