Rreth 180,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën kundër Ukrainës

Pothuajse 180,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur deri më tani në luftën kundrejt Ukrainës.

Këto vlerësime janë bërë nga shefi i ushtrisë norvegjeze, një vendi në kufij me Rusinë i cili është anëtar i Nato-s që prej themelimit të saj në vitin 1949.

Sipas tij humbjet në palën Ukrainase janë rreth 100,000 ushtarë dhe 30,000 civilë të vrarë.

Në nëntor, shefi i përbashkët i shtabit të ushtrisë amerikane, Mark Milley, tha se ushtria ruse kishte pësuar më shumë se 100,000 viktima ose të plagosur, me një numër “ndoshta” të ngjashëm nga pala ukrainase.

Këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur pasi Moska dhe Kievi nuk kanë dhënë llogari të besueshme të humbjeve të tyre për muaj të tërë.

Pavarësisht humbjeve të rënda, “Rusia është në gjendje të vazhdojë këtë luftë për një kohë mjaft të gjatë,” tha gjenerali Kristoffersen të dielën, duke përmendur kapacitetet e Moskës për mobilizimin dhe prodhimin e armëve.

“Ajo që shqetëson më shumë është nëse Ukraina do të jetë në gjendje të mbajë forcën ajrore ruse jashtë luftës,” tha ai, duke shtuar se ajo ka qenë në gjendje deri tani “falë mbrojtjeve kundërajrore ukrainase”.

*TiboNews