
Rregulli i ri në Britani për të trajtuar obezitetin
Qytetarët britanikë do mund të shohin kaloritë në menutë e restoranteve duke nisur nga dita e sotme.
Sipas rregullit të ri, restorantet, kafenetë dhe dyqanet ushqimore me më shumë se 250 persona në staf duhet t’u tregojnë klientëve se sa kalori mund të konsumojnë nëse zgjedhin një menu apo produkt të caktuar. Informacioni mund të jepet direkt, ose të dërgohet përmes platformave të dërgesave kur porosia kryhet online.
Rregulli i ri është pjesë e planeve të qeverisë për të trajtuar obezitetin duke ndihmuar njerëzit të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme për veten e tyre.
Disa restorante kanë frikë se kjo do të rrisë kostot, ndërsa një organizatë bamirëse për çrregullimet e të ngrënit thotë se mund të kontribuojë në mendime dhe sjellje të dëmshme.
Më konkretisht, bizneset e mëdha të ushqimit dhe pijeve në Angli me 250 ose më shumë punonjës duhet të shfaqin informacionin e kalorive të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike jo të paketuara.
Mark Selby, bashkëthemelues i restoranteve të ushqimit të stilit meksikan, Wahaca, thotë se është plotësisht i përgatitur për të qenë transparent ndaj klientëve lidhur me informacionin për ushqimet dhe pijet.
Sipas të dhënave, 1.25 milionë njerëz në Britani kanë çrregullim të të ngrënit. Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social thotë se mbipesha është një nga problemet më të mëdha shëndetësore me të cilat përballet vendi dhe se etiketimi i ushqimit duke treguar nivelet e kalorive luan një rol të rëndësishëm në ndihmën e njerëzve për të bërë zgjedhje më të shëndetshme.
*Tibo News