Rregullat e Ajnshtajnit për një jetë më të mirë

Albert Ajnshtajni njihet si një nga gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit me zbulimet shkencore të tilla si qëndrueshmëria e shpejtësisë së dritës, efekti fotoelektrik, formula E=mc² dhe relativiteti etj. Megjithatë, fama e tij shtrihej shumë përtej sferës së shkencës, pasi nga letrat, shënimet dhe korrespondenca e tij ai na la një sërë rregullash magjepsëse për të jetuar.

Ai ishte i njohur edhe për sjelljen e tij jokonvencionale në kundërshtimin e normave shoqërore, duke përfshirë flokët të çrregullt, humorin e mprehtë dhe urrejtjen e tij të paepur ndaj…çorapeve. Benyamin Cohen shkroi librin “Efekti i Ajnshtajnit” rregullat për një jetë më të mirë që shkojnë shumë përtej fizikës së Ajnshtajnit dhe teorive të tij shkencore.

Rregulli 1: Shpenzoni energjinë tuaj për gjëra që kanë rëndësi

Ajnshtajni, në vitet e fundit të jetës veshi atë që pothuajse mund të konsiderohej një uniformë: një kostum gri të veçantë me një xhaketë lëkure dhe, natyrisht, këpucë pa çorape. Mungesa e përpjekjeve të Ajnshtajnit në lidhje me imazhin e tij ndoshta e lejoi atë të përqendrohej në atë që ishte vërtet e rëndësishme për të, siç janë zbulimet e tij

Rregulli 2: Bëni gjërat që ju pëlqen, edhe nëse nuk jeni të mirë në to

Dihet se Ajnshtajnit i pëlqente të piqte bukë dhe të luante violinë, por mbi të gjitha i pëlqente lundrimi. Siç shkruante ai: “Një lundrim në det është një mundësi e shkëlqyer për qetësi dhe reflektim për të menduar nga një këndvështrim tjetër”. Megjithatë, ai vetë shpesh e humbiste drejtimin ose e përplaste varkën. Thuhet se ai shpesh ka paraqitur një rrezik për veten dhe të tjerët, ka refuzuar të veshë jelek shpëtimi, pavarësisht se nuk ishte në gjendje të notojë dhe shpesh është ndihmuar nga të tjerët, madje edhe fëmijët, për të tërhequr varkën e tij. Mirëpo paqja që gëzonte Ajnshtajni gjatë lundrimit ishte e pashembullt, duke i dhënë atij një liri mendore që të gjithë duhet të përpiqemi për veten tonë.

Rregulli 3: Përvetësoni mentalitetin e enigmës

Këtu përshtatet thënia e tij e keqkuptuar shpesh, por më e famshme: “Imagjinata është më e rëndësishme se dija”. Ndërsa shumë njerëz kishin studiuar shpejtësinë e dritës – duke përfshirë gjenitë e tjerë si FitzGerald, Maxëell, Lorentz dhe Poincaré – perspektiva unike e Ajnshtajnit e lejoi atë t’i qaset problemit në një mënyrë që çoi në revolucionin e relativitetit special. Ishte botëkuptimi i tij fleksibël dhe jo i ngurtë që e lejoi të konceptonte ide që të tjerët do t’i hidhnin poshtë menjëherë. Ai duhej ta zgjidhte problemin duke e parë pikërisht ashtu siç është: si një problem që duhet zgjidhur thjesht duke shtuar imagjinatën.

Rregulli 4: Mendoni thellësisht dhe në mënyrë thelbësore për gjithçka që ju magjeps me të vërtetë

Edhe pse Ajnshtajni ishte më i famshëm për problemet që zgjidhte, kishte shumë probleme që nuk u zhdukën: nga gjetja e një shpjegimi determinist për sjelljen kuantike të vëzhguar deri tek përpjekja për të unifikuar të gjithë fizikën ( duke përfshirë gravitetin dhe forcat e tjera). Gjatë gjithë jetës, ai mori shumë letra, dhe një nga përgjigjet e tij është bërë e njohur për mendjemprehtësinë dhe dhembshurinë e saj. “Nëse keni një problem që ju intereson thellësisht, qëndroni me të për vite dhe mos u përpiqni kurrë të kënaqeni me zgjidhjen sipërfaqësore të problemeve që premton sukses relativisht të lehtë.” Dhe nëse nuk mund të arrini te zgjidhja që keni kërkuar, mos u dëshpëroni. Siç i shkruante Ajnshtajni mikut të tij David Bohm: “Nuk duhet të mbytesh nga përmasat e problemit. Nëse Zoti e ka krijuar botën, sigurisht që shqetësimi i tij kryesor ishte të mos na e bënte të lehtë për ta kuptuar”.

Rregulli 5: Shkenca, e vërteta dhe edukimi janë për të gjithë, jo vetëm për ata pak të privilegjuar

Ai shpesh ishte shumë kritik ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Për veprimet e tij antiraciste, në vitin 1932 FBI kishte hapur një dosje për të. Në vitin 1937, Ajnshtajni ftoi yllin me ngjyrë të operës Marion Anderson të qëndronte në shtëpinë e tij kur asaj iu refuzua akomodimi në Hotelin Princeton. Në vitin 1946, ai vizitoi Universitetin Lincoln – kolegjin e parë në Shtetet e Bashkuara që u dha diploma njerëzve me ngjyrë – dhe mbajti leksione, duke folur me studentët dhe duke iu përgjigjur pyetjeve. Në një nga këto vizita, Ajnshtajni kishte thënë në një nga fjalimet e tij tashmë të famshme: “Ka një ndarje të njerëzve me ngjyrë nga të bardhët në Shtetet e Bashkuara. Kjo ndarje nuk është një sëmundje e njerëzve me ngjyrë. Është një sëmundje e të bardhëve”.