
Roma shpall gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone
Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone veriore mes thatësirës më të madhe në 70 vjet.
Qeveria ka deklaruar se situata është emergjente për rajonet Emilia-Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte dhe Veneto. Më problematike thuhet të jetë situata nga thatësirat në lumin Po dhe pellgjet e Alpeve Lindore.
Lidhur me situatën, Këshilli i Ministrave ka alokuar 36.5 milionë euro për të përballuar thatësirën.
Lugina e lumit Po, e cila prodhon rreth 40% të ushqimit të vendit, duke përfshirë grurin dhe orizin, nuk ka parë pothuajse asnjë reshje shiu për rreth katër muaj. Lumi, më i gjati i Italisë, është shtatë metra nën mesataren. Këtë vit Italia ka përjetuar vetëm gjysmën e mesatares së reshjeve në 30 vitet e fundit.
Pothuajse gjysma e bagëtive italiane është në rrezik.
Gjendja e jashtëzakonshme synon të japë “mjete dhe kompetenca të jashtëzakonshme” për të siguruar zbatimin e ndërhyrjeve urgjente të nevojshme për të garantuar sigurinë publike, riparimin e dëmeve në pronën publike dhe private dhe kushtet normale të jetesës së popullsisë.
Sipas sindikatës më të madhe bujqësore në vend, Coldiretti, thatësira po kërcënon gjithashtu gjysmën e bagëtive në Luginën e Po, ku prodhohet proshuta e Parmës.
Ujërat nga lumi Po ndihmojnë në ujitjen e orizit, arave të fermave dhe kullotave për lopët, me qumështin e tyre që përdoret për të bërë djathin e famshëm Parmigiano Reggiano.
*Tibo News