
Rindërtimi, përfundojnë 3 pallate te “5 Maji”, përfitojnë 150 familje
Tre pallate të tjera përfunduan së ndërtuari në zonën e 5 Majit, teksa Bashkia Tiranë pritet të sistemojë atje 150 familje, shtëpiat e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i vitit 2019.
Gjatë një inspektimi në kantier, Kryetari Erion Veliaj tha se së shpejti do të hidhet shorti dhe familjet do të marrin shtëpitë e tyre.
“[…] do vijojmë me këtë ritëm çdo muaj, për çdo pallat që mbaron, familjet e reja marrin shtëpitë, fillojnë një jetë të re […] këtu do të ketë edhe zyra të administratës, për të dhënë mesazhin se ne si shtet, si bashki, si qeveri, besojmë te ky projekt dhe po transferojmë edhe një pjesë të madhe të stafit tonë, të punonjësve. Ideja jonë e Tiranës policentrike, me Kinostudion, Kombinatin, 5 Majin, Laprakën, Saukun, Farkën po kthehet realisht në një projekt që njerëzit mund ta shohin dhe ta prekin,” u shpreh Veliaj.
Veliaj u shpreh i lumtur që zona po merr jetë e që më në fund, të gjithë qytetarët, edhe ata që i panë gjërat në mënyrë skeptike dhe kundërshtuan projektin e rindërtimit, tashmë janë distancuar dhe kanë vendosur interesin e familjes së tyre mbi interesat politike.
“[…] Sa më jep keqardhje fakti që partitë futen të bllokojnë një rrugë, një pallat, bllokojnë një autostradë, aq edhe më gëzon fakti që shoqëria është emancipuar më shumë se sa partitë, se e shohin që politikanët i kanë shtëpitë e tyre, asfaltet e tyre, i kanë shkollat, kopshtet e tyre,” tha Veliaj.
Duke marrë edhe shembullin më të fundit, atë të rrugës “Xhon Belushi”, që ishte projekti i radhës i bllokuar nga deputetët e opozitës, kryebashkiaku kishte këtë apel për qytetarët:
“Thirrja për banorët është: Kini besim! Bashkëpunoni me skuadrën tonë që po shërben, disa në ndërtim, disa te njësia, disa duke bërë supervizimin dhe inxhinierinë, sepse vetëm kur bashkëpunojmë mund të ecim përpara. Kush bllokon nuk ka parë ndonjëherë hajër. […] Asfalti nuk është as socialist, as demokrat. Kur shtrohet ua bën mbarë rrugën të gjithëve, u rritet vlera e pronës”.
“Tirana është më e madhe se të gjithë ne”, shtoi Veliaj, “dhe për disa vota më shumë apo më pak, bllokimi nuk është rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje”.
*Tibo News.