Rikthim në Modeling pas “shpërfytyrimit” të ndërhyrjeve

Linda Evangelista, e njohur si supermodele, i është rikthyer modelingut serish, duke u shprehur se është mirënjohëse për rikthimin para kamerës, pas procedurës kozmetike që e shpërfytyroi.

 

57-vjeçarja ka publikuar një fotografi të saj në fushatën e fundit të Fendit, ku mbi të shkruante:

 

“Më 9 shtator 2022, Fendi do të organizojë një shfaqje të veçantë të modës në New York City për të festuar 25 vjetorin e #FendiBaguette, e dizenjuar nga Silvia Venturini Fendi.”

 

Evangelista pozoi me disa kapele dhe çanta Fendi dhe si duket ajo ka fituar besimin në vetvete si një supermodele, gjë të cilën kohë më parë e pranoi që e kishte humbur pas dështimit të një procedure kozmetike.

Shkurtin e kaluar, modelja ka rrëfyer se kishte qenë pjesë e dy operacioneve të pasuksesshme.

 

“Për ndjekësit e mi që kanë pyetur veten pse unë nuk kam punuar ndërsa kolegët e mi lulëzojnë, arsyeja është se unë u shpërfytyrova brutalisht nga një procedurë e cila bëri të kundërtën e asaj që premtoi”- tha ajo.

 

Efekti anësor që përjetoi, jo vetëm që i shkatërroi jetën, por e çoi dhe në një fazë të thellë depresioni dhe trishtimi, proces të cilin ajo e kaloi e vetme.