
Rikthehet Kampionati Kombëtar i Debatit, pritet të marrin pjesë mbi 1500 të rinj
Pas dy vitesh të vështira nën pandemi, “Kampionati Kombëtar i Debatit Rinor” rikthehet në formatin ballë për ballë për të kultivuar te të rinjtë etikën e komunikimit dhe të të menduarit kritik. Por ndryshe nga edicionet e shkuara këtë vit do të ketë shtrirje shumë më të gjerë.
Organizata jofitimprurëse “Liburnetik”, që ka organizuar 5 vitet e fundit kampionatin, prezantoi të enjten programin, i cili synon përfshirjen e 1,500 gjimnazistëve dhe 100 mësuesve nga 100 shkolla të mesme në gjithë Shqipërinë.
Dy vitet e fundit kampionati qe zhvilluar vetëm online, por falë mbështetjes së Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Arsimit, organizatave joqeveritare, dhe disa sipërmarrjeve, ku pjesë e tyre, prej tre vitesh, është bërë edhe platforma TIBO, “Re-Debate” do të jetë në gjithë Shqipërinë.
“Nuk dëgjohet shpesh që biznesi të jetë i interesuar për projektet e shoqërisë civile, zakonisht bizneset janë të interesuara për spektaklet, por kësaj radhe janë disa aktorë që interesohen edhe për trajnimin dhe formimin e të rinjve,” tha Ergys Gezka, drejtues i “Liburnetik”.
“Liburnetik” ka zgjeruar bashkëpunimin me Qendrën “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV), e cila gjithashtu tre vitet e fundit ka organizuar “Laboratorin e Debatit Universitar” duke pasur në qendër fuqizimin e studentëve në angazhimin në sferën publike përmes debatit. SCiDEV do të përfshijë këtë vit në përballjet e debatit 14 universitete në 5 qytetet kryesore të vendit si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça.
Kampionati i debatit në Shqipëri ka zanafillë vitin 1995, kur në mbështetje të Fondacionit Shoqëria e Hapur, në gjimnazet e Tiranës, të rinjtë e atyre viteve viheshin përballë duke shpalosur energjitë e tyre dhe këndvështrimet për një të ardhme më aktive.
Donika Shupo, mësuese gjimnazi, kujtoi se që në organizimet e para spikatën plot të rinj, një pjesë e të cilëve tanimë drejtojnë suksesshëm sipërmarrje, institucione publike, apo dhe përfaqësojnë qytetarët në parlament.
“Kryetari i Bashkisë [Erion Veliaj] dhe nënkryetari [Arbjan Mazniku] kanë qenë fitues kampionati debatesh, janë dhe shumë politikanë të tjerë, deputetë… një pjesë janë ish-nxënës të mi,” – tha me krenari mësuese Donika, siç e thërrasin nxënësit.
Tradita e një kampionati të debatit u vijua më tej nga organizata “Liburnetik”, e cila prej 5 vitesh e organizon atë suksesshëm duke promovuar denjësisht të rinjtë. Këtë vit, që përkon edhe me Tiranën Kryeqytet Evropian të Rinisë, evenimentin e mbështesin Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe Bashkia Tiranë.