
Rikthehet “Ëndrra e një nate vere”, në tre mbrëmje vjeshte
“Ëndrra e një nate vere”, një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, është rikthyer sërish, këtë herë në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës për tre netë.
Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit vjen në amfiteatër, me regji të Driada Dervishit dhe me një kast energjik aktorësh që janë kurdoherë të mikpritur nga publiku.
Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Jaho Guma, Romir Zalla, Andia Xhunga, Mimoza Marjanaku, Gentian Zenelaj, Suela Bako, Xhejni Fama, Marsel Rupi, Gjergj Doçi dhe Marvin Tafaj, janë emrat që do të mbushin skenën e amfiteatrit dhe do t’i dhurojnë publikut një shfaqje aq të dashur.
“Ëndrrat e një nate vere” erdhi si një magji e këndshme për publikun, pasi përfshiu një skenë me veshje të bardha, hënë në sfond, ngatërresa, truqe zanash dhe ëndrra.
Përmbajtja e kësaj vepre përqëndrohet në tre ngjarje, e para ka të bëjë me përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, tjetra për botën e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave dhe e fundit për një grup zejtarësh të rëndomtë, që janë në përpjekje për të vënë në skenë një pjesë për nder të dasmës së Dukës së Athinës.
I gjithë publiku, mund të gjejë komedinë në amfiteatrin e liqenit të Tiranës, në mbrëmjet e datave 20, 21 dhe 22 shtator.