
Rikthehen tensionet mes Sofjes dhe Shkupit
Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev ka deklaruar se vizita e kryeministrit Kiril Petkov në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishte e nxituar dhe se mund të keqinterpretohet.
“Çdo veprim i nxituar i qeverisë bullgare, çdo sinjal paraprak pozitiv mund të keqinterpretohet si disa lëshime nga pala bullgare”, tha ai para pjesëmarrjes në një samit ndërkombëtar në Sofje të organizuar nga “The Economist”.
Reagimi i presidentit bullgar të martën vjen pasi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 28 janar priti një grup të qytetarëve maqedonas të Bullgarisë, të cilët nuk njihen si pakicë nga qeveria në Sofje.
Këtë veprim të presidentit Stevo Pendarovski, kreu i shtetit bullgar e cilësoi si një provokim. Ai tha se veprimet dhe sjelljet e presidentit maqedonas nuk kontribuojnë në përparimin aq të dëshiruar të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.
Por, presidenti i Maqedonisë së Veriut u përgjigj duke thënë se “nëse dikujt i pengon takimi i Presidentit me maqedonasit që jetojnë kudo në botë, ky nuk problem është i imi, nuk është problemi ynë”.
Përplasjet mes zyrtarëve të të dyja vendeve vijnë pas vizitës së kryeministrit bullgar, Kiril Petkov në Shkup, dhe mbledhjes së dy qeverive në Sofje, më 25 janar.
Sofja kërkon nga Shkupi që t’i njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.
Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori dritën jeshile për nisjen e bisedimeve me BE, për shkak të vetos bullgare.