
Riciklimi i ujit, zgjidhja për të ulur ndotjen masive
Rreth 80% e botës i derdhin ujërat e zeza në natyrë pa i trajtuar aspak për reduktimin e ndotjes. Pjesa tjetër prej rreth 20% që i trajton këto ujëra, arrin ta riciklojë vetëm një pjesë të saj për ripërdorim.
Riciklimi i ujit të përdorur në tualete, nga dushi, lavatriçet, pishinat, apo dhe industria prodhuese nuk është arritur ende të bëhet masiv. Nëse kjo do të bëhej e mundur do të ndihmonte në ruajtjen e ujit të pijshëm dhe do të ulte ndjeshëm shkarkimet e ujërave të ndotura në mjedis.
Uji i ricikluar mund të përdoret rëndomtë për të furnizuar tualetet, hapësirat e gjelbra urbane, për pastrimin e rrugëve, motorët e avionëve, apo dhe logjistikën industriale. Ai mund t’i rikthehet natyrës ose edhe të kthehet i pijshëm, sigurisht përmes distilimit të plotë.
Singapori prodhon 900 mijë litra ujë të pijshëm në ditë vetëm përmes riciklimit të ujërave të zeza. Përmes këtij prodhimi ai siguron 40% të nevojave urbane.
Riciklimi i ujit është një aspekt tejet i rëndësishëm sidomos për zonat ku burimet e ujit janë pothuajse të shterura.
Procesi nis fillimisht me filtrimin, ku përdoren membrana të imëta në mënyrë që përmbajtje të ngurta të veçohen nga uji.
Procesi i dytë i filtrimit përthellohet në aspektin molekular duke lejuar vetëm kalimin e molekulave të ujit e duke hequr bakteret, viruset dhe pesticidet. Në fund ndriçimi me rreze ultravjollcë heq çdo lloj organizmi që mund të ketë mbijetuar nga proceset e filtrimit.
Uji i pastër zë vetëm 2.5% të ujit që ka planeti ynë. Pavarësisht zhvillimit jo të njëtrajtshëm të kapaciteteve ricikluese, ripërdorimi i ujit po kthehet në një çështje madhore sociale, ekonomike dhe mjedisore.
*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.