
Restorantet ruse drejt falimentit në New York
Restorantet ruse në shtetin amerikan të New York-ut janë vënë në shënjestër të vandalëve dhe po shmangen nga klientët që fajësojnë rusët për pushtimin e Ukrainës.
Pronarja e Samovarit rus në West Village, i cili u hap në vitet 1980, thotë se biznesi i saj ka pësuar rënie me 60 për qind dhe njerëzit kanë shkelmuar derën e restorantit gjatë natës.
“Të gjithë ikëm nga e njëjta e keqe. Biznesi im ra në mënyrë drastike brenda natës. Burri im është ukrainas, unë jam ruse, fëmijët e mi janë gjysmë ukrainas, gjysmë rusë, kështu që për ne kjo është një tragjedi”.
Ashtu si shumë prej restoranteve ruse të qytetit, stafi dhe pronësia janë një përzierje mes ukrainasve dhe rusëve, të cilët që të gjithë po e dënojnë luftën. Por kjo nuk i ka ndalur bojkotimet, thirrjet kërcënuese, komentet e këqija në internet apo mesazhet që u thonë “shkoni në shtëpi”. Shumë prej tyre po e bëjnë të qartë në faqet e tyre të internetit dhe tabelat në restorante se mbështesin Ukrainën.