Rënie e theksuar e mjekëve dhe infermierëve në zonat rurale

Emigracioni dhe lëvizjet drejt qendrave urbane kanë shkaktuar një rënie të theksuar të mjekëve dhe infermierëve në zonat rurale.

Në një vlerësim nga Ministria e Brendshme për Migracionin, rezulton se në harkun kohor të 4 viteve numri i infermierëve në shërbimin parësor në zonat rurale ka rënë me gati 24%, ndërsa ai i mjekëve me 5%.

Shqetësuese është tkurrja e mjekëve të familjes, një fenomen që vërehet jo vetëm në fshatra por gjithashtu edhe në zonat urbane.

Nëse në vitin 2021 në qendrat shëndetësore, ambulancat dhe poliklinikat e gjithë vendit kishte 1505 mjekë, në 2022 pati 54 mjekë më pak.

“Nga të dhënat e mbulimit shëndetësor, në këto katër vjet në shërbimin parësor vërehet rënie e numrit të mjekëve të familjes. Rënia më e theksuar është në grupimin e mjekëve të zonave rurale, edhe për shkak të prirjes së njëjtë që shfaq edhe popullata e mjekëve për të lëvizur drejt zonave urbane”, thotë Ministria e Brendshme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht kërkohen 450 infermierë, pjesa më e madhe për në rajonin e Vlorës, pasuar nga Tirana, Elbasani dhe Shkodra që kanë edhe mungesat më të medha.

Ministria e Brendshme rekomandon sigurimin e një mjedisi etik të sigurt dhe jodiskriminues punësimi në vend, për të luftuar fenomenin tërësor të emigracionit në vend.