Renault dhe Nissan bisedojnë “aleancën” për makinat elektrike

Renault dhe Nissan janë në bisedime rreth riorganizimit rrënjësor të bashkëpunimit mes tyre.

Njoftimi zyrtar u dha këtë javë nga dy kompanitë me shitje mbarë-botërore, të cilat shtrijnë marrëdhëniet edhe me kompaninë tjetër japoneze të Mitsubishit.

Negociatat mund të nxisin rivlerësimet më të mëdha në bursa që nga arrestimi në vitin 2018 i shefit të përgjithshëm të Renosë, Carlos Ghosn.

Burime thanë për agjencinë Reuters se një opsion është që Renault të shesë disa nga aksionet e saj te Nissan.

Dominimi francez i aleancës ka qenë prej kohësh një pikë e diskutueshme për palën japoneze.

Renault zotëron 43% të firmës japoneze, e cila nga ana e saj zotëron 15% të aksioneve në partnerin e saj francez.

Tani Renault dëshiron që Nissan të investojë në modelet e saj të reja elektrike, të cilat po krijohen veçmas nga modelet e saj të vjetra me motorë me djegie.

Ekspertët thonë se Nissan është nën presion për të reduktuar aksionet e saj në Renault në këmbim të një marrëveshjeje më të leverdishme.

Dy kompanitë refuzuan të komentojnë bisedimet, përveçse thanë se ishin të angazhuar në “negociata të ndershme” mbi “përmirësimet strukturore”.

Në fillim të këtij viti, dy kompanitë shpalosën planet për të investuar 26 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme në zhvillimin e makinave elektrike.

Ekspertët thonë se negociatat e tanishme kanë lidhje pikërisht me këtë projekt.

*Tibo News.