Reforma Zgjedhore për zgjedhjet 2025, pikat ku palët nuk gjejnë dakordësi

Grupi i punës për Reformën Zgjedhore do të mblidhet një tjetër ditë, pasi dje u anulua me argumentin e ekspertëve se u nevojitet më shumë kohë.

Megjithatë, disa pika se ku duhet të bëhen lëshime ose jo, socialistët mesa duket i kanë të qarta. Mediat vendase tregojnë se mazhoranca nuk ka synim që të bëjë ujdi me PD-në për të rikthyer koalicionet parazgjedhore, me kërkesë të demokratëve.

Sistemi zgjedhor do jetë me rregulla të pandryshuara.

Në kushtet kur PD e konsideron si një pikë kyçe, kjo kërkesë pritet të jetë vija ndarëse mes palëve, dhe pika që mund të sjellë një ngërç të punës së këtij grupi.

Ndryshimi i formulës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke e rikthyer në modalitetin e vjetër kolegjial është një tjetër kërkesë e mbetur në tryezë. Socialistët për këtë janë të gatshëm që të

shkrijnë vetëm komisionin rregullator, por duke lënë të pandryshuar Krye-komisionerin dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Në pikëpyetje vihet edhe votimi elektronik. Për PS implementimi si projekt pilot nuk ka më asnjë vlerë, nëse nuk realizohet në nivel qarku. Por shumica socialiste pritet që të propozojë votimin elektronik në disa prej qyteteve kryesore.

Një tjetër çështje për të cilën palët do duhet të kenë një ujdi është edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, një prej rekomandimeve më të rëndësishme të OSBE/ODHIR-it.

Ndërsa vota e emigrantëve, duket se do të jetë vetëm në axhendën e planit të punës, por jo në tryezë për tu diskutuar konkretisht, apo më tepër për tu implementuar.

Palët kanë afat 2 muaj për të arritur dakordësinë dhe për të depozituar në Kuvend ndryshimet që mund të bëjnë në rregullat e garës parlamentare të 2025-ës.