Reagon Mjekësia Ligjore për rastin e dhunës së 3 vjeçares në kopshtin privat

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka reaguar zyrtarisht duke bërë me dije se vendimi për kryerjen e ekspertizës së 3-vjeçares të dhunuar në kopshtin privat “Stinët”, u ka shkuar më 7 Nëntor.

Rasti që tronditi opinionin u bë publik më 6 Nëntor të këtij viti nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan.

Babaj i vajzës së mitur deklaroi se ngjarja kishte ndodhur më datë 1 Nëntor, ditë kur e vogla është dërguar te Trauma pasi kishte këmbën të thyer. “Stop” ka sjellë përgjatë ditëve detaje nga ngjarja e rëndë që u tentua të mbulohej e të manipulohej nga drejtuesit e kopshtit privat që për më tepër rezultoi i palicensuar.

Nga ana tjetër Ministria e Arsimit kërkoi mbylljen e menjëhershme të kopshtit të palicensuar. Tre efektivë policie u pezulluan nga detyra për këtë ngjarje.

Akoma më të rënda ishin dhe pamjet që u bënë publike nga “Stop” mbrëmjen e djeshme, ku shihet se 3-vjeçarja dhunohet nga edukatorja, Majlinda Dehima deri në thyerjen e këmbës. Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores ndaj të miturës.