Reagon kryeministri Rama pasi Kosova hoqi dinarin serb

Kreu i qeverisë ka reaguar në Twitter, në rrjetin social (X) lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të hequr nga qarkullimi dinarin si dhe për të lejuar shkëmbimet tregtare dhe shërbimet vetëm në euro.

Postimi i plotë i Ramës në Twitter:

“Ndërsa të gjithë jemi dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos e harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar Kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruani fokusin dhe ndjenjën e ekuilibrit”.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier theksoi kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Ai bëri këto deklarata, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatë tjerë të huaj gjatë ditës së sotme.

Çfarë parashikon rregullorja e BQK-së:

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi që më 1 shkurt dhe parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euro.