
Raundi i dytë i largimeve nga puna, në Netflix
Netflix ka vazhduar me shkurtimet në vendin e punës, duke larguar edhe 300 punonjës të tjerë, shkak konkurrenca.
Shkurtimet janë bërë kryesisht në SHBA, pasi largimet i nisi që në muajin maj me 150 punëtorë.
“Ndërsa vazhdojmë të investojmë në mënyrë të konsiderueshme në biznes, ne i bëmë këto rregullime në mënyrë që kostot tona të rriten në përputhje me rritjen më të ngadaltë të të ardhurave tona. Jemi shumë mirënjohës për gjithçka që ata kanë bërë për Netflix dhe po punojmë shumë për t’i mbështetur në këtë tranzicion të vështirë” ka thënë Netflix në një deklaratë.
Është bërë me dije se këto pasoja erdhën pas humbjes së parë të pajtimtarëve në më shumë se një dekadë.
Siç njihet, Netflix është firma lider në treg, me 220 milionë abonentë, por vitet e fundit është përballur me një konkurreencë të ashpër dhe të kushtueshme me platformat “Disney Plus” dhe “Prime Video”.
Përpos konkurrencës, një nga goditjet që iu dha Netflix me humbje abonentësh, erdhi nga rritja e çmimeve në SHBA dhe MB.
Kjo firmë aktualisht po “eksperimenton” për të mbajtur veten në këmbë, duke luftuar ndarjen e fjalëkalimeve mes përdoruesve me qëllim që të rrisë numrin e abonuesve.
Netflix e parashikon rënien e numrit të abonentëve të saj duke pasur parasysh humbjet e fillimit të vitit të cilët kapën shifrën 200,000.