Raporti i Ministrisë së Brendshme: Pse ikin shqiptarët?

Mundësi më të mira punësimi, kjo është arsyeja e shumicës së shqiptarëve të cilët vendosin të largohen jashtë vendin të tyre. Këtë ka tregur së fundmi një raport i Ministrisë së Brendshme për emigracionin, i publikuar nga mediat vendase dhe që i përket periudhës 2019-2022.

Bazuar tek ky raport, 86% e shqiptarëve që kanë emigruar në vitin 2022 kishin si faktor shtytës punësimin, ndërsa rreth 6% rezulton se janë larguar për bashkim familjar dhe 4% për mundësi më të mira studimi.

Bazuar në të dhëna: rreth 46 mijë e 500 shqiptarë janë larguar nga vendi përgjatë vitit 2022, niveli më i lartë që nga viti 2014. Largimet e shumta reflektohen edhe në kërkesat në rritje të shqiptarëve për të kërkuar azil.

Gjatë vitit 2022, 25 mijë shqiptarë kërkuan azil në një nga vendet e BE dhe kryesisht në Britani, Amerikë, Kanada dhe Australi, një rritje me 83% krahasuar me 2021-shin.

Më shumë se gjysma e kërkesave rezulton të jenë bërë në Britani, pasuar nga vendet e BE-së.

Sa i përket azilit arsyet kryesore lidhen kryesisht me çështjet ekonomike.

Për Ministrinë e Brendshme mbetet shqetësues trendi në rritje i emigrimit të të miturve drejt BE.

Gati 5 600 të mitur shqiptare kërkuan azil në vitin 2022, shumica në Britani dhe Francë. Në krahasim me vitin paraardhës ka një rritje prej 85%.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në kushtet kur Shqipëria vazhdon të ketë flukse emigrantësh për faktorë ekonomikë, është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet për një mirëqeverisje në vendin tonë.