
Raporti i DASH për luftën në Ukrainë: Fëmijët dhe civilët janë dëbuar me forcë
Me raportin e Departamentit Amerikan Shtetit, që dokumenton praktikat e të drejtave të njeriut në mbarë botën, thuhet se forcat e armatosura ruse kanë kryer “krime të shumta lufte dhe mizori të tjera”, që prej momentit që Moska nisi një sulm në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022. Raporti nënvizon gjithashtu rastet e dëbimit të detyruar të civilëve dhe fëmijëve nga Ukraina në Rusi.
Raporti vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për krime lufte, ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe Komisioneres për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, lidhur me dyshimet për rolin e tyre në transferimin dhe deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara ukrainase drejt Rusisë.
Moska tha se urdhër arrestet janë skandaloze dhe ka hedhur poshtë mundësinë që zoti Putin të dalë para gjykatës. Rusia nuk e njeh juridiksionin Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij kanë akuzuar Rusinë për kryerje të krimeve të luftës dhe mizori në Ukrainë. Në shkurt, Departamenti i Shtetit përcaktoi se anëtarët e forcave ruse dhe zyrtarë të tjerë rusë kishin kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë.
Raporti thekson gjithashtu shqetësimet lidhur me shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Iran, Kinë, Mianmar (njohur dikur si Burma), në Afganistan, Sudanin e Jugut, Siri dhe vende të tjera autoritare.