Rama tjetër propozim: Kush do jetë ministre për Administratën dhe Antikorrupsionin?

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër ndryshim në kabinetin qeveritar. Përmes një njoftimi në Facebook ai bëri të ditur se ka vendosur t’i propozojë Presidentit të Republikës të dekretojë emërimin e Adea Pirdenit, si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

“Do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni”.

Ai tha që krijimi i një ministrie të tillë lidhet me nevojat që ka nxjerrë në pah procesi i integrimit të vendit në BE.

“Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre”.

Rama thekson se ky proces negociatash kërkon gjithashtu një hov tjetër në luftën anti-korrupsionit.

Por kush është Adea Pirdeni?

Pirdeni ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv/ministres së Drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit e Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

Tashmë, në tryezën e presidentit për dekretim ndodhet edhe emri i Blendi Gonxhes, i cili të hënën u propozua si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.