Rama shtron iftar për besimtarët myslimanë

Kryeministri Edi Rama shtroi mbrëmë në Pallatin e Kongreseve darkën e Iftarit për besimtarët myslimanë.

Një ditë para mbarimit të muajit të shenjtë të Ramazanit ai uroi agjërim dhe lutje të pranuara për të gjithë besimtarët. Në fjalën pas darkës së Iftarit, ai tha se “është virtyt t’i nënshtrohesh disiplinës”.

Rama:

“Shumica nuk janë zëra dashakeqës në vetvete ndaj islamit, e ca më pak ndaj të njohurve apo bashkëqytetarëve myslimanë, sikundër nuk është aspak i tillë çdokush që në ndërgjegjie nuk i bashkohet kësaj sofre. Madje edhe vetë dashakeqët me zërin e tyre, nga ata që e besojnë Zotin si prijësin e një armate kundër Zotit të të tjerëve, më shumë se të rrezikshëm, janë dashakeq mendjelehtë. Vëzhgues sipërfaqësorë e të pandjeshëm ndaj botës shpirtërore të cilët nuk janë dot aq të mençur sa të heshtin kur hedhin fjalët e tyre, në komentet e tyre në rrjetet sociale edhe kur nuk kanë asgjë të vlefshme për të thënë. Më kujtojnë shpesh këto kryeneçësira boshe një debat të hershëm që flakëriu shumë kohë më parë si një rrufe në qiell të kaltër. Prej penës së Haki Stërmillit, në fillim të viteve ’40, shkrimtari që Shqipërinë e donte në shinat e përparimit, rekomandoi pa të keq, por krejt gabimisht që njerëzit t’i braktisnin vizitat tradicionale te shoqi shoqi me rastin e Bajramit si diçka e detyruar dhe e mërzitshme.

Një mysliman i mirë dhe mendjehapur si çdo besimtar që Zotin e tij nuk e do mësues në luftë me besimet e të tjerëve e që në fakt ia adhuronte Stërmillit veprën letrare i dha një përgjigjie modeste, por mjaft të hollë. Duke i treguar se sa jo përparimtar dhe i mërzitshëm ishte në të vërtetë rekomandimi i shkrimtarit. Se sa shumë humbte komuniteti nga braktisja e shfaqjeve të pashme të njerëzillëkut, sidomos gjatë të kremteve shpirtërore. Për sa më takon, them se e kam mësuar siç duhet se ç’do të thotë një Ramazan më shumë apo një Iftar më pak. E kam vëth në vesh tashmë dhe mund t’ua përcjell sot, Ramzani do të ikë, miqve të vet do t’u thotë lamtumirë. Por nuk e di prej nesh cili do të jetë ai që do të presë disa minuta rreth sofrës së Iftarit dhe do t’i thotë “Për të mirë u pjekshim”. Ramazan ashikët e tu të pritën me buzë të qeshur e me gëzim e po të përcjellin të helmuar se nuk e dijnë vallë i fal Zoti apo jo.  Ramazani vjen për besimtarërt e devotshëm duke sjellë iftarët e tij edhe për gjithë të tjerët si një mes i artë mes një viti në kalendarin e besimit islam”.

Në fund kryeministri Rama citoi Hafiz Ali Korçën: ‘Ramazan, ti je një mysafir i dërguar nga Zoti. Kush të nderoi për vete, kush të ç’nderoi po për vete. Zoti na pjektë me hajër pra, të gjithëve për hajër, agjërim të pranuar dhe rrugëtim të paqtë drejt Bajramit të bekuar. Mbarësi besimtarëve myslimanë dhe të tjerëve që iu bashkuan kësaj sofre jo duke u falur në agjërim, por duke iu falur nderës, muajit të lartësimit për bukën që po ndajmë sonte në mesin e artë të Ramazanit’.