Rama mbledh asamblenë në Gjirin e Lalzit! Zbardhet axhenda

Kreu i socialistëve Edi Rama do mbledhë nesër në Gjirin e Lalëzit Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Mbledhja vjen pas Shkodrës, në kuadër të procesit të ri-organizimit të strukturave dhe rijetëzimit të selisë rozë.

Takimi pritet të mbahet në një resort dhe është parashikuar të nisë në orën 11:00 me fjalën e kryeministrit.

Fokusi do jetë tek zbatimi i detyrave të lëna për strukturat e partisë si dhe eleminimin e problematikave dhe mangësive në organizatat socialiste, si dhe me anëtarësimet e reja.

Sekretari i përgjithshëm Blendi Klosi do të jetë ai që do të drejtojë pjesën e punimeve, ndërsa më pas do ketë raportime edhe nga anëtarët e Asamblesë për punën e kryer deri më tani dhe planet e vijueshmërisë.

Ky proces i ri-jetëzimit të partisë bëhet disa muaj para se të nisë zyrtarisht puna për zgjedhjet parlamentare të një viti më pas, 2025.