Rama mbledh Asamblenë në Gjirin e Lalzit: Na duhet PS me gjak të ri

Rama ka mbledhur sot në Gjirin e Lalzit Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në nisje, ai tha se në pak kohë janë arritur mbi 29 mijë anëtarësime të reja.

Pjesë nga fjala e kreut të qeverisë, Edi Rama:

“Dua t’i përgëzoj për përfshirjen aktive për ripërtritjen e partisë sonë, në këtë proces të rienergjizimit i cili ka preku çdo organizatë socialiste. Dua të përgëzoj sekretarin Blendi Klosi për risinë e inxhinierimit të këtij procesi. Sot në regjistrin digjital të anëtarësisë socialiste numërohen plot 29 225 anëtarësime të reja. Duam 50 mijë anëtarë të rinj deri në qershorin e këtij viti. Domethënë edhe 20 mijë e pak që u shtohen këtyre që janë shtuar deri tani. E keni vënë re se sa me shumë lehtësi janë tejkaluar objektivat, pasi skemi pritur që njerëzit të vijnë te ne por kemi shkuar ne te ata. Do të rishikojmë përbërjen  çdo organizate socialiste. Burra e gra të çdo moshe, sa më përfaqësuar të jetë zona aq më e fortë do të jetë lidhja e PS-së me atë zonë”.

Rama theksoi se duhet një Parti Socialiste më e fortë, gjithëpërfshirëse dhe e pajisur me “gjak” të ri.

Rama: “Na duhet PS më e fortë, gjithëpërfshirëse, e hapur dhe më e përfaqësuese, më e moshuar më eksperiencë, dhe më e rinuar me gjak të ri”.