Rama: BE më i vetëdijshëm, e trishtë që duhej Putin për të kuptuar rëndësinë e Ballkanit

Kryeministri i vendit Edi Rama mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale. Vijim për negociatat  me BE dhe zhvillimi i mbledhjes shihet nga Rama si hap pozitiv në rrugën drejt integrimit të plotë drejt Bashkimit Europian.

Në një konferencë shtypi nga Brukseli me Presidentin e Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, Oliver Ropke dhe me Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç, Rama kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se plani i rritjes ekonomike është hapi i parë drejt integrimit në BE.

“Duke pasur vendet tona sot në këtë komitet si anëtare në kuptimin e plotë pa të drejtën e votës është ajo çka duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt për BE dhe Ballkanin Perëndimor që duhet të gjejnë rrugën për t’u siguruar që rrugëtimi drejt anëtarësimit tonë të plotë të jetë rrugëtim bashkëpunimi shumë të ngushtë, por po kështu rrugëtim ndërveprimi mjaft organik që duhet të ofrohet nga BE dhe institucionet e tij. Unë besoj fort se është koha që BE të kuptojë se vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor por jo vetëm nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura por po kështu janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë pa qenë domosdoshmërisht anëtarë me të drejta të plota siç në fakt është objektivi fundor i gjithë këtij procesi”.

Rama kërkoi që ritmi i BE për të treguar angazhimin ndaj Ballkanit Perëndimor të vazhdojë me vepra konkrete, ndërsa shprehu keqardhjen ndja luftës Rusi- Ukrainë, që sipas Ramës u desh të ndodhte për të vënë në lëvizje Brukselin.

Duke thënë të gjitha këto, dëshiroj ta përmbyll se së fundmi po shohim që BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra jo vetëm me fjalë për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për BE dhe është e trishtë që të duhej Vladimir Putin që të ndodhte kjo gjë. Besoj se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm duke ecur përpara me hapa të guximshëm e të mos presim për një goditje tjetër që të na kujtojë e të kuptojnë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE. Të gjithë në BE duhet të kuptojnë jo vetëm teorikisht që ky ndërgjegjësim të bëhet edhe praktikisht”.