
Rajoni i ishujve në Paqësor në rrezik nga shpërthimi i vullkanit në Tonga
Prej 15 janarit rajoni ishullor i Tongas në Paqësor, është goditur nga një katastrofë e paprecedentë pasi një vullkan nënujor shpërtheu fuqishëm duke shkaktuar tërmete të njëpasnjëshme dhe cunami.
Autoritetet lokale njoftuan të martën për bilancin e parë të dëmeve dhe viktimave. Ata konfirmuan të paktën 3 humbje jete, mes të cilave një shtetase britanike. Nga shpërthimi i vullkanit janë dëmtuar shumë ishujt e tjerë, të cilët janë dhe më të populluar.
Australia dhe Zelanda e Re janë vënë në ndihmë teksa banesa të shumta janë shkatërruar.
Hiri vijon të dalë nga krateri i vullkanit dhe kjo pengon përpjekjet për të shpërngulur njerëzit nga zonat e prekura.
Rrjetet e furnizimit me ujë janë dëmtuar rëndë, fluturimet janë pezulluar përkohësisht, e po ashtu shërbimi i transportit detar.
Vullnetarë janë pozicionuar në pistën e aeroportit kryesor për uljen e avionëve që sjellin ushqime dhe ujë të pijshëm. Komunikimi me ishujt e tjerë është ndërprerë, pasi një kabull komunikacioni nënujor që lidhte Tongën me pjesën tjetër të botës u dëmtua gjatë shpërthimit të vullkanit.
Në deklaratën e publikuar të martën, qeveria e Tongës tha se interneti kishte rënë, por disa shërbime telefonike lokale ishin ende funksionale.
Ekspertë të ndryshëm e konsiderojnë shpërthimin në Tonga si një nga më të mëdhenjtë të regjistruar në 30 vitet e fundit nga një vullkan në botë. Vala e cunamit të nxitur nga shpërthimi u përhap në brigjet e Australisë, Zelandës së Re, Japonisë, Amerikës së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Të paktën dy persona kanë humbur jetën nga cunami në Japoni dhe Peru. Autoritetet ndërkombëtare druajnë se fluksi i hirit do të vijojë gjatë dhe kjo mund të shkaktojë ndotje të mëdha të ajrit dhe ekosistemit në gjithë rajonin e Paqësorit.