Qyteti që nuk dorëzohet!

Banorët e Mariupolit të Ukrainës po përgatiten se bashku me ushtarët për sulmet e reja, pasi qeveria ukrainase hodhi poshtë ultimatumin e Rusisë për të dorëzuar qytetin-port jugor të rrethuar e të shkatërruar nga bombardimet.

Ndërkaq, mijëra njerëz janë të bllokuar në godina e shtëpi, me rrezikun real për jetën e tyre.

Për fat të keq shumë të tjerë po vuajnë për ushqim, ujë dhe energji elektrike.

Kjo lloj krize humanitare po rrit presionin ndaj liderëve evropianë që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Moskës.

Qeveria e Ukrainës deklaroi se nuk do të pranonte kushtet ruse që forcat e saj të dorëzonin armët në këmbim të kalimit të sigurt të qytetarëve përmes korridoreve humanitare që do të hapeshin nga ora 10:00 me orën e Moskës.

Situata ka sjellë konsultime të reja mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj mbi mënyrën e rritjes së presionit ndaj Rusisë.

Presidenti Biden foli me telefon me liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë përpara udhëtimit të tij nesër në Bruksel për t’u takuar me liderët e NATO-s.

Aleanca mund të pranojë propozimin e Polonisë për të krijuar një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare për Ukrainën, një ide që zyrtarët amerikanë e kanë vënë në dyshim. Nuk është e qartë se si do të funksionojë plani. Në të kaluarën, misione të tilla paqeruajtëse vendoseshin vetëm pasi të kishin përfunduar luftimet.

Mariupoli ka pësuar disa nga bombardimet më të rënda që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Shumë nga 400,000 banorët e tij mbeten të bllokuar ndërsa luftimet vijojnë përreth tyre.