Qytetarët grek në protesta për rritjen e kostove të jetesës

Disa qytetarë në Greqi hynë në një grevë një ditore këtë të mërkurë duke kërkuar paga më të larta për të përballuar kostot e jetesës.

Me mijëra njerëz marshuan rrugëve të Athinës me pankarta në të cilat shkruhej “Jo pushimeve nga puna, jo shkurtim të pagave”.

Protestuesit patën edhe përleshje me policinë jashtë dyerve të parlamentit duke lëshuar bomba benzine ndërsa patrullat blu janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Shumica e tyre deklaruan se ndiheshin të pa mbrojtur nga qeveria dhe thanë se nuk mund të përballonin kostot e larta të jetesës.

“Inflacioni po mbyt familjet greke” ishte fraza që brohoritej masivisht nga qytetarët të cilët së bashku me sindikatat kërkuan rritjen e pagës minimale në 713 euro.

Grevës së iniciuar nga punonjësit e sektorit privat iu bashkuan edhe punonjësit e shërbimeve publike.

Disa punonjës të transportit urban dhe detar iu bashkuan grevës duke shkaktuar kaos.

Europa po përballet me një krizë të rritjes së kostove të jetesës  dhe rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit rus në Ukrainë.

Ekonomia Greke po rritet me gati dyfishin e normës së eurozonës këtë vit falë rikthimit të turistëve, por inflacioni është në nivelet më të larta të tri dekadave të fundit në vend .

Inflacioni në rritje i cili po godet ekonominë e eurozonës ka nxitur protesta edhe në Britani, Francë, Spanjë dhe Gjermani.

*TiboNews