Qeveria vendim për 22 nëntorin, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Festë Zyrtare

22 nëntori është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe si e tillë do jetë festë zyrtare e Shqipërisë.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Jashtëm Igli Hasani i cili tha se propozimi do t’i bëhet Kuvendit të Shqipërisë.

Ministri Hasani deklaroi se 22 Nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve.

“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”.

Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.

Kryeministri Rama tha se 22 Nëntori, dita e Alfabetit të gjuhës shqipe të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare edhe në Shqipëri.

Në Kongresin e Manastirit 22 nëntori është shënuar Dita e Alfabetit Shqip, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.