Qeveria tërhiqet nga fasha 800 KW/H edhe për janarin

Fasha 800 KW/orë për abonentët familjarë nuk do të aplikohet as për muajin Janar. Ky është vendimi që ka marrë qeveria shqiptare së fundmi, por ndërkohë iu bën thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.

Në deklaratë për mediat, zv/kryeministrja Belinda Balluku iu referua të dhënave për kursimin e energjisë për muajin nëntor, duke thënë se ato kanë rënë në nivelin 2% krahasuar me 7% që ishte në shtator.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë. Fasha 800 KW/H, për përdorimet mbi këtë fashë ka qenë e vendosur nga 1 Shtatori deri në 31 Dhjetor. Dhe gjatë datës 14, 15,16 dhe 17, ne presim prurje të reja në kaskadën e Drinit. Por megjithatë kursimi është çelësi i suksesit tonë. 2 përqind është një kursim i vogël, i cili nuk na ndihmon që të vazhdojmë të mbrojmë çdo qytetar, familjar, apo abonent”.”

Balluku thotë se situata hidrike vijon të mos jetë në parametra të kënaqshëm, pavarësisht se janë vendosur në kapacitet të plotë dy anije për prodhimin e Energjisë.

“Ne do të vazhdojmë gjatë muajit janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim 2 anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport. Por nga ana tjetër kushtet atmosferike nga ç’duket, pas datës 17 do të përmirësohen dhe nuk do të kemi reshje. Kështu që duhen marrë masat për të pasur mundësi që qeveria shqiptare të vazhdojë dhe të mbrojë çdo qytetar, dhe të mos aplikojë fashën 800 KW/H ashtu siç nuk e ka bërë deri më sot”.

Ministrja Balluku tha se institucionet shtetërore kanë arritur të kursejnë për muajin nëntor 20% të energjisë elektrike, shifër kjo me impakt në sistemin tonë energjetik.

*Tibo News