Qeveria përkujton 109-vjetorin e formimit të Policisë së Shtetit

Përmes një ceremonie zyrtare të zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u përkujtua të enjten 109-vjetori i themelimit të strukturave të rendit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi shprehu mirënjohjen ndaj policisë në përballimin e shumë sfidave gjatë rrugëtimit shekullor të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ai nuk la pa përmendur edhe ngjarjen e fundit, ku u desh ndërhyrja e policisë, gjatë protestës së dhunshme 8 janarit, duke e cilësuar profesionaliste.

“Policia tregoi me profesionalizëm të qartë pjekuri për t’u admiruar, një situatë ishte e vështirë të ndaje kufirin se ku mbaronte e drejta për të ushtruar aktivitetin politik. Policia tregoi dhe dëshmoi se ka një nivel të lartë profesionalizmi. Misioni ynë për ruajtjen e sigurisë publike, shërbimi ndaj qytetarit do të ishte e pamundur pa ju, që i shërbeni çdo ditë qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie të sigurt. Organet policore përballen me sfida dinamike. Falë jush në çdo cep të Shqipërisë,  vendi ynë nuk është lëkundur asnjëherë, faleminderit të përzemërta dhe mirënjohje policisë”, tha ministri.

Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, vlerësoi kontributet e të gjithë punonjësve të policisë në punën e palodhur për të mos shpërdoruar besimin e qytetarëve. Ai udhëzoi vartësit e tij se strukturat e rendit duhet të tregohen njerëzore ndaj qytetarëve dhe të prerë ndaj atyre që shkelin apo nëpërkëmbin vazhdimisht ligjin.

Njëqindenëntë vjetori i policisë së shtetit u urua të enjten edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili shkroi në Facebook me përulje për dëshmorët e saj dhe të gjithë kontribuuesit.