
Qeveria miraton hartën e re gjyqësore
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh në një konferencë për mediat se qeveria ka miratuar hartën e re gjyqësore. Harta e re gjyqësore parashikon në total 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe shkrirjen e gjykatave të apelit në një të vetme. Kjo është një hartë, e cila nuk pranohet nga avokatët, të cilët kanë bojkotuar seancat. Vendimi i sotëm i hap rrugën një procesi i cili synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët.
Miratimi i hartës së re gjyqësore përmbush jo vetëm një detyrim ligjor, po garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit në drejtësi dhe siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun. Qytetarët të cilët jetojnë në qytetet ku gjykatat riorganizohen do të vijojnë të marrin shërbimet si më parë nga Zyrat e shërbimeve gjyqësore, thuhet ne njoftimin e KLGJ-së.