Qeveria e Truss tërhiqet nga ulja e taksave për të pasurit

Kryeministrja britanike, Liz Truss, u detyrua të bëjë një kthesë zhgënjyese duke anuluar një vendim që parashikonte ulje të taksave për individët me të ardhura të mëdha.

Truss zbuloi javën e shkuar vendimin për buxhetin afat-mesëm, i cili parashikonte shkurtim të taksave mbi të ardhurat për ata që fitojnë mbi 150 mijë paundë në vit.

Ajo argumentoi publikisht se ky vendim ishte pjesë e një plani që do t’i jepte Britanisë “frymë për rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike”.

Vendimi parashikonte uljen nga 45 në 40% të taksës për të pasurit, gjë që pritej të reduktonte me rreth 45 miliardë paundë zërin buxhetor të taksave.

Gjithçka nxiti revoltë në radhët e partisë konservatore pasi plani parashikonte edhe ulje të shpenzimeve publike për të mbuluar humbjet nga shkurtimi i taksave.

E zgjedhur nga partia në pushtet, por jo nga qytetarët, qeveria e Truss po kërkon të nxjerrë ekonominë nga stanjacioni me një plan të stilit të viteve 80-të me ulje taksash dhe mbulim të investimeve përmes borxhit të jashtëm.

Ministri i Financave Kwasi Kwartzeng konfirmoi këtë javë tërheqjen nga kjo politikë duke theksuar se “qeveria i kishte dëgjuar kritikat”. Por dëmi në opinionin publik dhe tregjet financiare u bë.

Anketime të ndryshme e kuotojnë në rënie qeverinë e Truss dhe partinë konservatore, ndërsa pasiguria politike bëri që paundi të bjerë në vlerë në kuotën më të ulët kundrejt dollarit në dekadat e fundit.

*Tibo News.