“Qëndrimi shqiptar ndaj ukrainasve më kujton Nënë Terezën”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky foli të martën virtualisht në Kuvendin e Shqipërisë, ku deklaroi se Rusia i ka kthyer të gjitha ditët e popullit të tij në rrezik vdekjeprurës dhe se për ta nuk pati festë.

Zelensky falenderoi shqiptarët për mbështetjen ndaj popullit ukrainas. Ai shprehu mirënjohjen për mos-hezitimin e popullit shqiptar për të mbështetur ata që kanë nevojë.

Zelensky tha se qëndrimi i shqiptarëve, i kujtonte Nënë Terezën.

“Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mbështesni askënd, nuk mendoni se kë do mbështesni, ju jeni në anën e lirisë dhe të së vërtetës. Faleminderit për hapat konkrete për Ukrainën. Faleminderit për ndihmën e mbrojtjen, në mbështetjen e censurave kundër Rusisë, për përkujdesjen që ju i bëni njerëzve tanë, fëmijëve tanë. Ky qëndrim i juaji ndaj popullit ukrainas, ndaj fëmijëve të Ukrainës në ditë të vështira për ne, më bën të kujtoj Nënë Terezën, shqiptaren që është kthyer në simbolin e humanizmit në mbarë botën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen dhe ta afrojnë atë me shenjtërinë që njerëzit do të kujtojnë brez pas brezi. Unë besoj se duke punuar së bashku me gjithë europianët, në këtë mënyrë, me përpjekjet tona të mira të përgjithshme ne do jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë të zhvilluar nga Rusia, por gjithashtu do të jemi në gjendje të mbrojmë Europën në të ardhmen nga një përsëritje e një kërcënimi të tillë. Ndërsa paketa e 6 e sanksioneve po diskutohet në BE, mesa duket përfshin embargon e naftës dhe bllokimit real të çdo skeme që Rusia përdor për të mashtruar botën e lirë dhe për të injoruar sanksionet”.

Në vendin tonë, deri më tani kanë mbërritur gati 3900 refugjatë ukrainas. Shqipëria ka luajtur rol me rëndësi në dënimin e krimeve të luftës nga Rusia, duke qenë penëmbajtëse me SHBA në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Fjalimi në kuvendin shqiptar vjen në vazhdën e mesazheve virtuale në 10 parlamente të tjera të botës. Ai bën apel për mbështetje ndërkombëtare.

*Tibo News