Qendër e re shëndetësore në Vorë, 40 të tjera drejt përfundimit në gjithë vendin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet që po kryhen për rehabilitimin e qendrës shëndetësore Muçaj në Vorë, e cila po rehabilitohet në kuadër të fazës së dytë të programit të 300 qendrave shëndetësore.

“Jemi drejt procesit  të përfundimit të 40 qendrave shëndetësore dhe me buxhetin e ri të 2023-shit hapim kantieret për 60 qendrat e tjera shëndetësore. Pra do të kemi 400 qendra shëndetësore të rindërtuara në një kohë kaq të shkurtër, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit për 1.5 milion banorë, investimi i parë i këtyre përmasave në sistemin shëndetësor parësor”- tha Manastirliu.

Duke folur për forcimin e burimeve njerëzore, Manastirliu tha se qveria është fokusuar te strukturat e Kujdesit Parësor, jo vetëm të përmirësohen nga pikëpamja e infrastrukturës por edhe të fuqizohen nga pikëpamja e burimeve njerëzore.

Parashikohet që 10 mjekë të rinj t’i bashkohen strukturave brenda muajit dhjetor e më pas të vijohet me të njëjtën prirje vitin që vjen duke pasur parasysh zonat që kanë më shumë nevojë për mjekë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli gjithashtu për shtrirjen e shërbimeve socio-shëndetësore.

“Po shtrijmë shërbime të reja edhe të integrojmë ashtu sikurse kemi filluar shërbimin socio-shëndetësor, në strukturat tona të Kujdesit Parësor. Tashmë edhe pas përfundimit të fazës së parë të rekrutimit të 50 psikologëve, shumë shpejt do të filllojë edhe puna për zbatimin e protokolleve të reja për shërbimin socio-shëndetësor në strukturat e Kujdesit Parësor”-tha Manastirliu.

Qendra shëndetësore Vorë është një nga 40 qendrat e reja që i janë nështruar rehabilitimit këtë vit, e cila ofron shërbim shëndetësor për një komunitet prej rreth 1800 banorësh. Programi i rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave ka filluar fazën e dytë të zbatimit, ndërkohë që në mbarë vendin ku përfitues të shërbimeve dinjitoze e me standarde do jenë më shumë se 1,5 milion qytetarë.