Putin pranon ftesën e Kim Jong Un për vizitë në Korenë e Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka pranuar ftesën për ta vizituar Korenë e Veriut, ka njoftuar media shtetërore në Phenian.

Ky njoftim ka ardhur teksa lideri verikorean, Kim Jong Un e ka përmbyllur vizitën e tij të rrallë në Rusi, shkruan REL.

Kimi i izoluar, i cili nuk është larguar nga vendi i tij prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, e ka zhvilluar një takim “historik” me Putinin të mërkurën, ka thënë agjencia shtetërore verikoreane.

Në mesin e rezultateve të samitit të liderëve kanë qenë premtimet e Rusisë për t’i ndihmuar Koresë së Veriut në avancimin e programit hapësinor, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Vetë Putin u ka thënë gazetarëve se ka parë “mundësi” për bashkëpunim ushtarak mes dy vendeve.