Putin: Jemi gati të negociojmë përfundimin e luftës në Ukrainë

Rusia është e gatshme të negociojë me të gjitha palët e përfshira në luftën në Ukrainë, tha presidenti Vladimir Putin, ndërsa akuzoi Kievin dhe aleatët perëndimorë për “refuzim” mbi negociatat .

Duke folur në një intervistë për televizionin shtetëror Rossiya 1, Putin u shpreh: “Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të gjithë të përfshirët për zgjidhje të pranueshme, por kjo varet nga ata – nuk jemi ne që refuzojmë të negociojmë, po ata.”

“Besoj se po veprojmë në drejtimin e duhur, po mbrojmë interesat tona kombëtare, interesat e qytetarëve tanë, të popullit tonë. Dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbrojmë qytetarët tanë,” shtoi ai.

Kremlini thotë se do të luftojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e tij, ndërsa Kievi thotë se nuk do të pushojë derisa çdo ushtar rus të dëbohet nga i gjithë territori i tij, duke përfshirë Krimenë të cilën Rusia e aneksoi në 2014.

Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt ka shkaktuar konfliktin më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962.

*TiboNews