
Putin bën lëvizjen e papritur, dërgon ushtrinë në dy rajonet e Ukrainës
Në kulmin e përshkallëzimit të tensioneve në Ukrainën Lindore, presidenti rus Vladimir Putin vendosi të njohë pavarësinë e dy rajoneve të vetëshpallura republika, Donjeckun dhe Luhanskun, të cilat tashmë kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Njohja e dy republikave të vetëshpallura i jep mundësinë formale Rusisë të dërgojë forca ushtarake në këto rajone të Ukrainës Lindore. Dhe pikërisht këtë bëri Putin, ai urdhëroi trupat ushtarakë të pozicionohen pranë dy rajoneve.
Perëndimi ka reaguar duke e konsideruar njohjen e pavarësisë të dy rajoneve si shkelje të integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen është shprehur se njohja e territoreve separatiste në Ukrainë është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. Pritet që SHBA-të, Britania dhe vendet e BE-së të vendosin sanksione të ashpra.