Publikohet data e kualifikimit të mësuesve më 11 Maj në Tiranë

Ministria e Arsimit ka bërë publik udhëzimin për kualifikimin e mësuesve, të cilët gjatë një viti mesatarisht i nënshtrohen rreth 4000 mësues. Bëhet fjalë për provimin me shkrim për mësuesit e kategorisë së dytë dhe të tretë  i cili do të zhvillohet në datën 11 Maj, ora 10:00-12:30, në Tiranë, në mjediset e planifikuara nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë.

Çfarë do të thotë kjo? Mësuesi, që kërkon të kualifikohet, plotëson kërkesën për të marrë pjesë në procedurat e kualifikimit dhe e dorëzon atë në ZVAP-në Tiranë, bashkë me portofolin profesional brenda datës 27 Shkurt.

Arsimtarët të cilët kanë 20 vite përvojë pune nuk do t’i nënshtrohen testit si pjesa tjetër e mësuesve, ashtu si dhe vitin e shkuar. Zyrat Vendore Arsimore në bashkëpunim me drejtuesit e rrjeteve profesionale hartojnë kalendarin e zhvillimit të orëve të mësimit të hapura për mësuesit e kategorisë së parë në periudhën 1 Prill-26 Prill.

Cilat kategori e kanë me detyrim?

Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen të gjithë mësuesit që deri më 31 Dhjetor plotësojnë kushtet për vjetërsinë e punës në arsim, të paktën 5 vjet punë për kategorinë III, 10 vjet punë për kategorinë II, të paktën 20 vjet punë për kategorinë I të kualifikimit “Mësues mjeshtër”. Kalueshmëria në provimin e kualfikimit varion nga 93% në 96 % në 10 vitet e fundit.

Rezultate më të dobëta në kualifikim marrin kryesisht mësuesit e rinj, ata të arsimit fillor dhe ata që punojnë në shkolla që janë në zona të thella të vendit, por pavarësisht rezultateve që ata marrin në këtë testim, nuk u cenohet vendi i punës, vetëm nuk përfitojnë rritje të pagës sipas kategorisë.