
Publikohet agjenda, Rama dy ditë në pesë kryeqytete ballkanike
Kryeministri Edi Rama do të nisë sot turin ballkanik, ku do të zhvillojë takime në Shkup, Prishtinë, Beograd, Sarajevë dhe Podgoricë. Ndalesën e parë kreu i qeverisë do ta ketë në Maqedoninë e Veriut, ku pritet të takohet me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski në orën 11:00 të ditës së sotme.
Në orën 12:00, ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas, Rama do të udhëtojë drejt Prishtinës. Në orën 16:00, Rama do të takohet me presidenten Vjosa Osmani ndërsa në orën 17:15, kreu i qeverisë shqiptare do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Megjithëse Albin Kurti refuzoi dje takimin me Ramën duke thënë se së pari duhej të mbahej mbledhja e përbashkët e qeverivë në Gjakovë, sipas të cilit ishte anuluar në mënyrë të paparsyeshme, kryeministri Rama në axhendën e publikuar sot, thotë se është ende në pritje të një konfirmimi zyrtar.
Të nesërmen, me 7 Korrik, Rama do të udhëtojë në Bosnje Hercegovinë ku do të pritet nga kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo dhe më pas do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp. Më vonë, në orën 13:45, Rama do të takohet me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazovic.
Në orën 16:00 do të takohet edhe me presidentin Jakov Milatovic. Më pas do të niset për në Serbi ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe më pas do të mbajnë konferencën e përbashkët.