Publikohen datat kur nisin regjistrimet në çerdhe dhe kopshte

Nga data 3 deri më 7 qershor, do të nisë regjistrimi i fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës.

Drejtoresha e institucioneve të edukimit për fëmijët, Zhaneta Beqiri ka treguar detajet dhe se si do të procedohet nga prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre. Ajo tha:

Në të gjitha çerdhet, ato që janë të interesuar, në një nga çerdhet e njësisë së tyre paraqiten dhe bëjnë procedurën e aplikimit për të marrë shërbimin për këtë sezon të ri. Në momentin e aplikimit çdo i interesuar duhet të ketë me vete certifikatën e fëmijës, certifikatën familjare dhe dy vërtetimet e punës. Gjatë kohës së verës shqyrtohet ky dokumentacion dhe shkojnë në çerdhe urdhrat e regjistreimit për fëmijët që do të vijojnë frekuentimin. Për fëmijët që janë momentalisht në çerdhe dhe mbushin tre vjeç nuk do të ketë aplikim, por kalojnë automatiksiht në kopësht duke plotësuar prindërit në një nga ditët që çojnë fëmijët në çerdhe një formular ku deklarojnë një nga kopshtet e njësisë së tyre ku ata duan që fëmija të fillojë frekuentimin.

Ndërkaq, në territorin e Bashkisë Tiranë janë një numër i madh institucionesh publike që do akomodojnë të vegjlit.

Zhaneta Beqiri tha:

Në territorin e Bashkisë së Tiranës janë 43 çerdhe momentalisht që ofrojnë shërbim dhe jemi duke marrë ambiente të reja për çerdhe në njësinë administrative 13, 12 dhe 9 që shpresojmë dhe urojmë që në fillim të shtatorit të jenë gati për të hyrë në shërbim. Sa i takon kopshteve janë 51 kopshte në Tiranë në qytet dhe janë duke përfunduar edhe dy kopshte të reja duke e çuar numrin në 53. Dhe 50 kopshte apo grupe në periferi të Tiranës.  

Kopshtet dhe çerdhet e Bashkisë Tiranë do jenë të hapura përgjatë gjithë stinës së verës për tu ardhur në ndihmë prindërve.