Pse disa vende arabe po e ndihmojnë Izraelin kundër Iranit?

Analistët mendojnë se arabët dhe izraelitët mund të punojnë së bashku pasi disa shtete arabe e ndihmuan Izraelin për ta zmbrapsur sulmin iranian. Cilat janë arsyet që shtete si Jordania i erdhën në ndihmë Izraelit?

Mbrëmjen e së shtunës Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, si hakmarrje për sulmine dyshuar izraelit ndaj ambadasës iraniane në Damask, në fillim të prillit. Teksa raketat dhe dronëte ngadaltë ishin drejtuar drejt Izraelit, aleatët e këtij të fundit ndërhynë për të ndihmuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe u përfshinë në eleminimin e rrezikut që erdhi nga ajri. Edhe Franca mund të jetë përfshirë në patrullimin e zonës, edhe pse mbetet ende e paqartë, nëse francezët neutralizuan ndonjë dronë.

Por ajo çka tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte fakti se forcat ajrore të Jordanisë ndihmuan në këtë situatë. Jordania hapi hapësirën e saj ajrore për avionët izraelitë dhe amerikanë dhe njëkohësisht eleminoi dronët që i hynë dhunshëm në këtë hapësirë.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, banorët atje dëgjuan zhurmat e forta të veprimtarisë së pazakontë ajrore dhe në rrjetet sociale qarkulluan pamjet e mbetejeve të një droni të rrëzuar në kryeqytetin jordanez, në Aman.

“Shtetet e Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, mund të kenë luajtur edhe një rol indirekt, duke ‘strehuar’ sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore dhe duke vënë në dispozicion zonat për mbikqyrjen dhe furnizimin me karburant të avionëve luftarakë, ndihma këto që ishin jetësore gjatë atyre orëve” – theksoi në raportimin e saj media britanike “The Economist”.

Protesta në Jordani, e cila ka qenë kritikuese shumë e rreptë e fushatës ushtarake të Izraelit në GazaProtesta në Jordani, e cila ka qenë kritikuese shumë e rreptë e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza

Protesta në Jordani, e cila ka qenë kritikuese shumë e rreptë e fushatës ushtarake të Izraelit në GazaFotografi: Alaa Al Sukhni/REUTERS

Në botën online analistë të njohur si gazetari, Anshel Pfeffer, nga gazeta izraelite “Haaretz” dhe Mairav Zonszein nga International Crisis Group (Grupi Ndërkombëtar për Krizën) ishin të parët që festuan përfshirjen arabe. Ata thanë se ky bashkëpunim provoi se arabët dhe izraelitët mund të punojnë së bashku dhe se Izraeli nuk u la vetëm në Lindjen e Mesme.

“Sulmet e Iranit bënë bashkë një mbështetje të re ndërkombëtare krah Izraelit, duke përfshirë edhe shtetet arabe që ishin kritike ndaj sulmeve në Gaza, por që mbështetën kundërpërgjigjen ushtarake mbrojtëse izraelite ndaj sulmeve me dronë” – deklaroi gjatë së dielës Julien Barnes-Dacey, drejtore e programit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Këshillin Europian mbi Çështjet e Politikës së Jashtme.

Jordania, për shembull, ka qenë një kritike shumë e rreptë e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza, që vijoi edhe gjatë fundjavës. Një në pesë banorë të Jordanisë ka prejardhje palestineze, përfshirë këtu edhe vetë mbretëreshën, ndërsa gjatë javëve të fundit ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të protestave kundër Izraelit.

Megjithatë, Jordania, e cila në të njëjtën kohë ndan edhe kufirin me Izraelin, si dhe është rojtari i xhamisë Al-Aqsa – një vend me shumë domethënie për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë – bashkëpunon rregullisht me autoritetet izraelite, edhe pse në shumicën e rasteve në mënyrë diskrete.

Jordania dhe Arabia Saudite, detyrë të vështirë për ruajtjen e balancave

Autoritetet jordaneze, të cilat gjithashtu i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si një aleat të rëndësishëm, duhet të mbajnë në balancë shumë interesa konkurruese, paralelisht me qëndrueshmërinë e saj politike dhe mbrojtjen e vetvetes. Jordania deklaroi menjëherë se duke ndihmuar Izraelin, në fakt po mbronte veten. “Objektet që hynë në hapësirën tonë ajrore u pikasën dhe ndaluan, sepse ishin një kërcënim për njerëzit tanë dhe zonat e popullara” – bëri me dije qeveria e Jordanisë me anë të një deklarate për shtyp. “Disa copëza nga shenjestrat e goditura ranë në territorin e vendit tonë, pa shkaktuar ndonjë dëm të veçantë”.

Emile Hokayem nga International Institute for Strategic Studies (Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike) tha se përfshirja e Jordanisë ishte “për t’i provuar SHBA-së se sa partner i mirë është”.

Arabia Saudite është një tjetër vend që duhet të ruajë balancën mes interesave të saj, aleatëve ndërkombëtare dhe pozicionimin rreth konfliktit në Gaza.

Shteti i kamur i Gjirit ishte shumë pranë normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin para sulmeve të 7 Tetorit, kur Hamas goditi Izraelin, duke shkaktuar vdekjen e 1200 vetëve. Por më pas Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza, ku më shumë se 33 mijë vetë janë vrarë në gjashtë muajt e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi. Nisur nga këto zhvillime, planet e pajtimit mes Arabisë Saudite dhe Izraelit mbetën pezull.

Qeveria saudite ka qenë pro armëpushimit në Gaza dhe ka qenë kritike ndaj ofensivës izraelite. Por burime të brendshme thonë se në vijimësi sauditët kanë qenë të interesuar për të përmirësuar marrëdhëniet me Izraelin.

Konflikt i tejzgjatur mes Iranit dhe Gjirit Persik

Pavarësisht nëse në fundjavë ndërhyri në mbrojtje ose jo të Izraelit, Arabia Saudite ka arsye të tjera për të qenë e gatshme të rrëzojë raketat iraniane.

Për dekada me radhë, Lindja e Mesme ka qenë e ndarë nga sektet e ndryshme fetare, me disa prej shteteve arabe të Gjirit me shumicë myslimane sunite që janë kundër Iranit, i cili konsiderohet si udhëheqës i islamit shiit. Në thelb, armiqësia fetare është thuajse e ngjashme me konfliktet e mëparshme në Europë, kur dy sektet kryesore të krishtërimit – protestantët dhe katolikët – ishin rivalë që luftonin mes tyre.

Shtetet qendrore të Lindjes së Mesme si Iraku, Siria dhe Libani, popullsitë e të cilave janë një përzierje e myslimanëve shiite dhe sunitë, si dhe nga fe e etni të tjera, kanë ngecur ndërmjet tyre, pasi Irani dhe shtetet e Gjirit janë përpjekur të ushtrojnë secili ndikimin e vet.

Këtu ‘hyjnë në lojë’ ata që njihen si “të deleguarit” e Iranit. Ky grupim përfshin organizata të myslimanëve shiitë që Irani i mbështet financiarisht, ushtarakisht, nga ana logjistike madje dhe ajo shpirtërore, në njëfarë kuptimi. Grupimi rebel “Houthi”, milicia e njohur si Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak si dhe grupi politik dhe ushtarak i Hezbollahut në Liban, janë të gjithë anëtarë të kësaj aleance të financuar nga Irani. Edhe grupi i Hamasit mbështetet nga Irani, por ai është një rast përjashtimor, që përbëhet nga myslimanë sunitë, si shumica e palestinezëve. Këto grupe lëshuan raketa në drejtim të Izraelit nga Jemeni, Siria dhe Iraku, si pjesë e ofensivës iraniane. Raportimet nga Iraku bëjnë me dije se ushtria amerikane, në bazat e atjeshme, rrëzoi disa prej këtyre raketave.

Në Irak, raportet sugjerojnë që ushtria amerikane me qendër atje rrëzoi disa nga ato raketa. Është ende e paqartë nëse sauditët gjurmuan ndonjë të tillë të lëshuar nga Jemeni. Por ky zbulim ka ndodhur edhe më parë, më konkretisht në fundvitin e kaluar.

“Për aktorët rajonalë, veçanërisht Arabia Saudite dhe Jordania – të cilët thuhet se kanë përgjuar dronët iranianë – argumenti do të jetë që ata po mbrojnë me të drejtë hapësirën e tyre ajrore sovrane” – thotë Masoud Mostajibi, Zëvendës Drejtor i Programeve të Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik, me qendër në SHBA.

“Sidoqoftë, nëse sulmet e së shtunës përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë Izrael-Iran, aktorët rajonalë të perceptuar si mbrojtës të Izraelit, mund ta gjejnë veten të shenjestruar dhe të zvarritur në këtë zjarrvënie rajonale. Duke pasur parasysh atë çka është në lojë, ka të ngjarë që udhëheqësit rajonalë të motivohen të veprojnë midis të dy palëve për ta çuar këtë përplasje drejt fundit “- përfundoi ai. /DW