
Pse 40 vite pas rastit të parë nuk ka ende vaksinë për HIV/AIDS?
Teksa bota kujton sot “Ditën kundër HIV/AIDS” shumë grupe sociale kanë ngritur me shqetësim pyetjen se përse 40 vite pas rastit të parë, ende nuk ka vaksinë kundër virusit të imuno-defiçencës.
Një nga përgjigjet është se gjatë kësaj periudhe kohore ka munguar mbështetja afatgjatë politike dhe ekonomike.
Shembull konkret është rasti i pandemisë së COVID-19. Komuniteti shkencor mundi të zhvillonte në çështje muajsh disa lloje vaksinash efektive. Kjo ndodhi për shkak të mbështetjes së fortë që dhanë qeveritë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Tjetër arsye se përse nuk ka pasur sukses në zhvillimin e një vaksine ndaj HIV/AIDS-it, është natyra e ndërlikuar e vetë virusit, i cili ka shfaqur aftësi të jashtëzakonshme zhvillimi në variante të ndryshme.
Hulumtimet shkencore për vaksina janë përqendruar kryesisht te ata pak njerëz që kanë shfaqur aftësi për të prodhuar antitrupa kundër HIV-it.
HIV/AIDS u zbulua fillimisht në vitin 1981 në SHBA. Virusi u pa se përhapet kryesisht përmes gjakut dhe marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Ai shkatërron sistemin imunitar duke e lënë trupin e njeriut të pambrojtur dhe ku qoftë një infeksion i zakonshëm bakteresh do të rezultonte fatal.
Prej vitit 1981 mbi 50 milionë njerëz janë infektuar, prej të cilëve rreth 36 milionë nuk ia kanë dalë mbanë.
Ditët e sotme, falë përparimit të preparateve mjekësore, të prekurit nga HIV/AIDS mund të jetojnë më gjatë. Nëse ata mbajnë nën kontroll numrin e antitrupave ata mund të kenë një jetë normale.
Aktualisht mendohet se rreth 36 milionë njerëz jetojnë me HIV/AIDS. Pjesa më e madhe e tyre janë në zonën e Afrikës jugore.