PS mbledh grupin parlamentar, porositë e Ramës

PS zhvilloi një mbledhje të grupit parlamentar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm, ku ka patur edhe një takim me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Fokusi i diskutimeve sipas mediave vendase mes socialistëve ka qenë tek angazhimi i deputetëve në punët e partisë dhe në përpjekjet që po bën PS për të rienergjizuar strukturat.

Rama ka kërkuar një angazhim specifik nga ligjvënësit socialistë.

“Në fjalën drejtuar deputetëve kryeministri Rama kërkoi që të vijohet puna me Organizatat Socialiste në terren dhe të intensifikohet komunikimi me anëtarët e këtyre organizatave dhe qytetarët në çdo zonë”, njoftoi PS.

Ndërkohë kreu i grupit, Bledi Çuçi, informoi deputetët për rikthimin e Parlamentit në normalitet duke theksuar se s’ka asnjë marrëveshje e as do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme.

Në vijim të mbledhjes diskutimet u ndalën te projektligjet që janë në rendin e ditës për seancën e së enjtes.

Kreu i qeverisë është parë duke diskutuar me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe mësohet se ka qenë për çështjen e Amnistisë Penale.