Provimi i Matematikës në Maturë, ja sa ekselentë dolën këtë vit

242 maturantë kanë arritur të marrin pikët maksimale dhe notën 10 në provimin e maturës Shtetërore 2024, lënda Matematikë. Ministria e Arsimit ka publikuar notat e provimit të Matematikës, ku secili maturant mund të marrë notën duke hyrë në sistemin digjital në faqen e qendrës së shërbimeve arsimore.

Rezulton se në total kanë hyrë në provim 26,683 maturantë, prej të cilëve 701 kanë ngelur duke u vlerësuar me notën 4, ndërkohë që është parë që këtë vit ka një reduktim të numrit të të ngelurve, pasi në maturën e vitit 2023 ishin në total 1549 maturantë që kishin marrë notën 4.

Ndryshe nga Maturat e tjera,  rezultatet e provimit të matematikës kanë treguar një rritje cilësore. pasi edhe ekselentët janë në rritje në krahasim me vitin e shkuar që ishin vetëm 238 ekselentë.

Kalueshmëria për provimin e matematikës është 97.37% ndërsa nota mesatare është 6.79, duke u rritur në krahasim me vitin e shkuar që u vlerësua mesatarisht me 6.65.

Megjithatë, pavarësisht uljes së numrit të mbetësve, mbizotëron niveli i dobët sepse 50% e tyre janë vlerësuar me notën 4.5 deri në  notën 6.5.