
Protestuesve në Kanada do iu ngrijë llogaria bankare
Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka ndërmarrë hapin e paprecedentë duke aktivizuar Aktin e Emergjencave, për të frenuar protestat anti-vaksinës së Covid.
Trudeau tha se qëllimi i masave do ishte i kufizuar në kohë, i arsyeshëm dhe proporcional dhe se nuk do të nxirrte ushtrinë në rrugë.
Pa patur nevojë për një urdhër gjykate, bankat mund të ngrijnë llogaritë personale të kujtdo që është i lidhur me protestat. Qindra demonstrues janë shpërndarë në kryeqytetin e Kanadasë.
Të dielën, forcat e rendit larguan protestuesit nga Ura e Ambasadorit në Windsor – një rrugë me rëndësi për tregtinë Kanada-SHBA – pas një ngërçi njëjavor.
Ajo që filloi si një tubim kundër një rregulli të ri që të gjithë shoferët e kamionëve duhej të vaksinoheshin për të kaluar kufirin SHBA-Kanada, ose karantinë pas kthimit, është shndërruar në një sfidë më të gjerë për të gjitha kufizimet shëndetësore Covid.
Kryeministri tha se policisë do t’i jepen “më shumë mjete” për të burgosur ose gjobitur protestuesit dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike.
Trudeau u tha gazetarëve se legjislacioni do të zbatohej përkohësisht dhe në një mënyrë shumë specifike.
Kritikët kanë vënë në dukje se kreu i qeverisë shprehu mbështetje për fermerët në Indi që bllokuan autostradat kryesore për në Nju Delhi për një vit në 2021, duke thënë se Kanadaja do të jetë gjithmonë aty për të mbrojtur të drejtën e protestave paqësore.