Protestë para Bashkisë së Tiranës, e pranishme vajza e ish kryeministrit Berisha

Një protestë e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Shoqërisë Cilive u mbajt ditën e sotme, që nisi prej orës 11:00.

Protesta u zhvillua pas lajmit dhe arrestimit të disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Bashkisë për korrupsion. Para bashkisë u mblodhen protestues të cilët kërkuan largimin e kreut të Bashkisë Erion Veliaj si dhe hodhën vezë dhe mollë në godinë.

Të pranishëm në protestë ishin deputetë të PD-së të cilët thanë se thjesht i janë bashkuar thirrjes dhe se nuk janë ata organizatorë, ndërkohë që edhe vajza e ish kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ishte e pranishme e cila tha për gazetarët:

“Sigurisht që protesta dhe reagimi popullor do t’i shërbejë jo vetëm rrëzimit të këtij sistemi dhe këtij modeli që është një kancer për shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë për çeljen e rrugës së ndërtimit të një modeli që të jetë i qëndrueshëm për të gjithë ata që duan të jetojnë në Shqipëri, për të gjithë ata që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri. Kështu që unë jam me shpresë që kjo protestë do të mbështetet dhe do të ketë solidarizim nga masa e gjerë. Ky nuk është thjesht një kryebashkiak, ky është një kryebashkiak që nesër synon të jetë kryeministër. Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë biss, por një kopje të shëmtuar të tij, atëherë mos reagoni, vazhdoni dhe ky do të jetë modeli që do të predominojë. Por unë jam e bindur që do të jetë e kundërta. Ashtu siç këta njerëz janë ngritur për të dalë kundra kësaj grabitjeje, shumë të tjerë do t’i bashkohen kësaj kauze”.

Për të ruajtur rendin dhe sigurinë, para godinës së bashkisë janë vendosur forca policie që kanë krijuar një kordon sigurie ndërsa një rrugëve në qendër të kryeqytetit është e bllokuar për shkak të kësaj proteste.