Protesta në Argjentinë kundër planit ekonomik të presidentit

Mijëra kanë protestuar në rrugët e Buenos Aires në protestën e parë të madhe kundër politikave ekonomike të qeverisë së re argjentinase. Presidenti Javier Milei njoftoi masa që përfshijnë shkurtime të shpenzimeve dhe një zhvlerësim drastik të monedhës.

Ai nënshkroi gjithashtu një dekret për reformën ekonomike që do t’i japë fund kufizimeve të eksporteve.Marshimi u drejtua nga grupe që përfaqësojnë të papunët, ndërsa një numër i madh policësh u vendosen për të ndaluar protestuesit të bllokonin rrugët.

Presidenti Milei, i cili mori detyrën më pak se dy javë më parë, ka premtuar veprime të ashpra kundër çdo grupi që përpiqet të pengojë planet e tij me protesta përçarëse.Qeveria tha të hënën se njerëzit që bllokuan rrugët mund të humbasin të drejtën e tyre për të marrë përfitime shtetërore.