
Propozimi i piktorit Helidon Haliti për autobusin që përfundoi në Lanë
Autobusi i linjës së Unazës përfundoi mbrëmjen e djeshme në Lumin e Lanës së bashku me një makinë të cilat u përplasën bashkë, e ku për pasojë 5 persona u lënduan por jashtë rrezikut për jetën.
Pamjet e autobusit në Lanë pushtuan rrjetet sociale të qytetarëve, ndërsa piktori i njohur Helidon Haliti ka bërë një propozim: Që autobusi të mos hiqet, por të kthehet në një instalacion.
Teksa kërkon falje për propozimin duke mos dashur të prekë askënd që lidhet me aksidentin, ai shkruan në rrjetet sociale se autobusi në Lumin e Lanës do të ishte një nga instalacionet më të bukur në botë me autor “popullin”.
“Pa dashur të prek askënd dhe kërkoj ndjese për këtë, por e kam krejt artistik propozimin….Unë këtë e lija aty si ISTALACION ARTI dhe do ishte nga istalacionet më të bukur në botë me autor ”POPULLIN” ju lutem pranoni propozimin tim dhe mos e hiqni, une nuk jam ANRI SALA që të më dëgjoni, por duhet te degjohem……”
Lidhur me ngjarjen, policia ka publikuar këtë njoftim:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).”
*Tibo News